Ndryshimi i prirjes aktuale të praktikave të paqendrueshme në zonën pilot përmes qeverisjes dhe menaxhimit efikas kërkon një bazë të fortë njohurish, kapaciteti dhe ndërgjegjësimi për aspekte të ndryshme të ruajtjes së biodiversitetit, përdorimit të tokës dhe menaxhimit të ligatinës bregdetare. Njohuritë e krijuara përmes kësaj strategjie, duke përfshirë njohuritë specifike gjinore si të përshtatshme për vlerën dhe ruajtjen e ligatinave bregdetare, do të komunikohen dhe drejtohen për të ndikuar vendimarrjen dhe veprimin rajonal dhe vendor.
Njohuritë dhe krijimi i kapaciteteve do të përqendrohen në çështjet e mëposhtme: ruajtjen e ligatinës dhe menaxhimin e habitatit. MIZB (Menaxhimin e Integruar të Zonave Bregdetare), pasurinë natyrore dhe shërbimet e ekosistemit, praktikat e qendrueshme të përdorimit të tokës, menaxhimin e ujit, qeverisjen e mirë dhe qasjet e bazuara tek të drejtat, dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Vlerësimi i shërbimeve të ekosistemit në PMLBV do të kryhet duke përdorur Mjetet për Vlerësimin e Integruar të Ligatinës dhe Mjetet për Vlerësimin e Shërbimit të Ekosistemit (TESSA).
Për përgatitjen e statusit socio-ekonomik do të zbatohen analizimet e mënyrës së jetesës. Kjo do të shërbejë për vlerësimin e varësisë së komuniteteve të zonës ndaj pasurisë natyrore, të bazuar në hartën e habitateve.
Veprimtaria do të rezultojë në rekomandimet për përdorimin e ujit dhe planifikimin e përdorimit të tokës në zonë.
Identifikimi i prirjeve dhe nevojave në sektorin e turizmit do të kryhet si analizim në zyrë dhe shqyrtimi i mangësive të njohurive, shprehive dhe kapaciteteve të operatorëve të turizmit do të kryhet në zonë.
Një cikël prej 5 ngjarjesh të përvitshme do të organizohen për ruajtjen dhe menaxhimin e ligatinave bregdetare të cilat do të përfshijnë veprimtaritë që lidhen me rritjen e ndërgjegjësimit të aspekteve dhe mjeteve të ndryshme në lidhje me ruajtjen dhe menaxhimin e ligatinave, duke krijuar sinergjitë me menaxherët e zonave të ngjashme në Mesdhe.
Platforma elektronike do të shërbejë si një paketë e njohurive për PMLBV si dhe për ruajtjen dhe menaxhimin e ligatinave dhe bregdetit.
PMLBV bën pjesë në zonën e Bashkisë së Shkodrës për të cilin është miratuar një plan i ri i zhvillimit vendor, i cili përfshin të gjithë sektorët. Ky dokument afatmesëm planifikimi është kyç për trajtimin e veprimtarive të ruajtjes në PMLBV dhe presioneve të cilat mund të vijnë si rrjedhojë e zhvillimit të sektorit brenda dhe përreth zonës. PMLBV është një zonë e mbrojtur e menaxhuar nga dega rajonale e Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura të Shqipërisë (AKZM).
Veprimtaritë në PMLBV sipas kësaj strategjie mund të grupohen në dy paketa pune: veprimet për të mbrojtur habitatet e brishta duke reduktuar zhvillimin përgjatë bregdetit dhe praktikat e paqendrueshme të përdorimit të tokës dhe restaurimin e habitateve të degraduara. Masat e ruajtjes do të përfshijnë përmirësimet dhe/ose restaurimin e sistemeve hidrologjike për të menaxhuar regjimin e ujërave të ëmbla në disa prej ligatinave si edhe masat e ruajtjes që lidhen me përdorimet e paqendrueshme të tokës. Koalicione biznesi janë parashikuar të krijohen për zhvillimin e turizmit të qendrueshëm dhe për më tepër një skemë me grante të vogla për praktikën më të mirë dhe inovacionin në përdorimin e tokës dhe turizmin e qendrueshëm në mënyrë që të stimulohen qasjet inovative. Sektori i turizmit do të mobilizohet në mënyrë që të mbështesë përdorimin e qendrueshëm të burimeve natyrore dhe praktikat e përdorimit të tokës dhe përpjekjeve për ruajtjen e natyrës.
Këto grante do të hapen bazuar në rezultatet dhe rekomandimet e veprimtarive 1.1.1, 1.1.2 dhe 2.2.3, në të cilat marrin pjesë aktorët lokalë. Grantet do të ndjekin tre drejtime kryesore: 1) projekte për restaurimin e habitateve bregdetare; 2) skema stimuluese agro-mjedisore duke përfshirë edhe ujitjen, dhe 3) zhvillimi i sektorit të turizmit të qendrueshëm/infrastrukturës.
Skema do të zbatohet sipas hapave të mëposhtme: a) identifikimi i përfaqësuesve të bordit për skemën e granteve; b) përgatitja e Termave të Referencës për përfaqësuesit e skemës së granteve; c) përcaktimi i tematikave prioritare dhe veprimet me objektivat më të larta që i japin vlerën e shtuar projektit, kufizimet në kohë dhe në buxhet; d) zhvillimi i Termave të Referencës dhe udhëzimeve për grantet, duke përcaktuar kriteret e përfitimit, objektivat globale, tematikat, vendodhjet prioritare, përfituesit e synuar, rezultatet e pritshme (në lidhje me inovacionin, ruajtjen e natyrës, zhvillimin e qendrueshëm dhe përfitimet socio-ekonomike); e) përzgjedhjen e përfituesve të granteve bazuar në kritere të paracaktuara; f) zbatimin e projekteve të granteve përmes shqyrtimit afatmesëm dhe vlerësimit përfundimtar.
Veprimtaritë pilot do të përqendrohen në krijimin dhe forcimin e menaxhimit të zonës së mbrojtur në zonën pilot, ku komponenti i qeverisjes është veprimtaria e saj themelore. Në bazë të përcaktimit të të gjithë aktorëve përkatës dhe identifikimit të mangësive të kapacitetit për menaxhimin, dy vitet e para do të përqendrohen në organizimin dhe fillimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe zbatimin e veprimeve të synuara nga Plani i Menaxhimit për PMLBV dhe Plani i Menaxhimit për Burimet e Integruara për Zonën e Buna Bojanës.
Një tjetër paketë kryesore e veprimtarisë së qeverisjes përfshin forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional për zhvillimin bregdetar që synon analizimin e mangësive dhe ofrimin e udhëzimeve për zbatimin e kuadrit ligjor përkatës, dhe sigurimin e mbështetjes teknike ndaj autoriteteve përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin bregdetar, duke përfshirë integrimin e zonës pa ndërtime në planifikimin territorial dhe zbatimin e rregulloreve për vijën bregdetare.
Veprimtaritë për të eksploruar mundësitë dhe fillimin e bashkëpunimit ndërkufitar në Deltën e Bojana/Buna do të përbëjnë grupin e tretë të veprimtarive të qeverisjes. Qëllimi është të “nxitet” mbrojtja dhe menaxhimi i qendrueshëm i zonës përtej PMLBV dhe të rritet potenciali i menaxhimit të qendrueshëm të burimeve duke reduktuar trysnitë ndërkufitare.
Kjo veprimtari do të krijojë një proces pjesëmarrës për të identifikuar aktorët dhe institucionet që lidhen drejtpërdrejt me PMLBV dhe burimet e tij natyrore, dhe t’i dallojë ato në bazë të të drejtave të tyre ligjore dhe konsumatore, interesave, shqetësimeve dhe kapaciteteve.
Ky veprim do t’i vijë në ndihmë autoriteteve të ZM (MM, AKZM, ADZM Shkodër), dhe aktorëve për zhvillimin e Termave të Referencës për Komisionin e Menaxhimit (KM) të PMLBV për të siguruar zbatimin e duhur të PM dhe bashkërendimin ndërmjet aktorëve të shumtë.
Me mbështetjen e partnerëve lokalë, do të organizohen takime periodike tematike me grupet e fokusit në mënyrë që të përftohen kontributet në lidhje me identifikimin e gjendjes aktuale, presioneve, nevojave, mundësive dhe përparësive të grupeve të identifikuara të sektorëve.
Konferenca e hapjes do të organizohet në fazën fillestare të projektit. Konferencat vijuese të përvitshme dhe ajo e mbylljes do të organizohen nga KM të PMLBV, krahas takimeve të programuara të KM.