Peizazhi i Mbrojtur Lumi Buna është pjesë e sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura të Shqipërisë. Nga ana institucionale, sistemi i ruajtjes së natyrës dhe menaxhimit të burimeve natyrore në vend ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë dy viteve të fundit. Më 2015, Agjencia Kombëtare e sapokrijuar për Zonat e Mbrojtura (AKZM) dhe degët e saj rajonale (ADZM) morën përsipër rolin e menaxhimit të zonës së mbrojtur ndërsa Agjencia Kombëtare për Bregdetin u ngarkua me zhvillimin e qendrueshëm të zonës bregdetare. Në të njëjtën kohë, njësitë administrative të vendit u fuqizuan për shkak të zëvendësimit të komunave disi të fragmentuara me bashkitë. Duke vepruar kështu, u vunë në zbatim disa parakushte bazë për rritjen e menaxhimit të qendrueshëm të burimeve natyrore. Partnerë të shumtë të MAVA, duke përfshirë IUCN, luajtën një rol të madh në krijimin e një sistemi të ri. Me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Zhvillim, IUCN ka ndihmuar për përmirësimin e procedurave në planifikimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura në nivelin kombëtar, ka ndërmjetësuar procesin e realizimit të Planit të Menaxhimit për PM Lumi Buna Velipojë 2016-2025, dhe ka mbështetur zhvillimin e infrastukturës fillestare të turizmit në natyrë të zonës
Si pjesë e projektit MedPartnership (financuar nga GEF) PAP/RAC dhe GWP-Med përgatitën “Planin Ndërkufitar të Integruar të Menaxhimit të Burimeve” për Zonën më të gjerë Bojana/Buna, në të cilën PMLBV është pjesë e pandashme. Procesi ishte i suksesshëm për të treguar domosdoshmërinë e zbatimit të qasjeve të integruara ndërmjet shteteve fqinje bregdetare të Shqipërisë dhe Malit të Zi për trajtimin e shkaktarëve të ndryshimit, veçanërisht ato që lidhen me menaxhimin e ujit, ndotjen dhe praktikat e zhvillimit të paqendrueshëm. Megjithatë, ende nuk është krijuar bashkëpunimi i plotë ndërkufitar për këto çështje, prandaj mund të kërkohet promovim i mëtejshëm dhe vlerësim i realizimit të fillimit të bashkëpunimit ndërkufitar.
Pjesërisht i lidhur me PMLBV është gjithashtu edhe projekti në zhvillim për zonat e mbrojtura dhe Natura 2000 (NaturAl) i financuar nga KE i cili ndihmon për përmirësimin e menaxhimit të Rezervës së Menaxhuar Natyrore të Liqenit të Shkodrës dhe mundësisht trajton disa nga shkaktarët e ndryshimit mjedisor në PMLBV. Çështjet në nivelin e basenit janë trajtuar përmes projektit GEF “Mundësimi i Bashkëpunimit Ndërkufitar dhe Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Basenin e Zgjeruar të Lumit Drin” dhe ka të ngjarë të vijojnë.
Qasja për trajtimin e kërcënimeve të vërejtura në PMLBV do të jetë shumëplanëshe. Ajo do të përmbajë njohuritë dhe realizimin e të dhënave për rëndësinë dhe vlerat e ligatinave bregdetare, mbështetje ndaj zbatimit të ligjit, zhvillimit të kapaciteteve për menaxhimin e përmirësuar të zonës, rritjen e ndërgjegjësimit, paraqitjen e praktikave të qendrueshme të përdorimit të tokës dhe stimujve për aktorët e zonës, restaurimin e habitateve, dhe modelet inovatore të qeverisjes. Fokusi kryesor do të jetë për përmirësimin e menaxhimit të zonës sipas prioriteteve të parashturara në Planin e Menaxhimit të ZM. Një qasje e posaçme për qeverisjen do të ndërmerret me qëllim përmbushjen e kërkesave dhe nevojave specifike të strategjisë MAVA 2017-2022.
Qëllimi i projektit është të sigurojë ruajtjen afatgjatë të llojeve dhe habitateve në PMLBV me theksin e veçantë në ndalimin ose reduktimin e ndjeshëm të zhvillimit të paqendrueshëm dhe shpërdorimit të ujit. Deri më 2022, kërcënimet e zhvillimit të cilat ndikojnë PMLBV pritet të reduktohen ndjeshëm apo të eleminohen. Asnjë zhvillim i mëtejshëm nuk pritet të ndodhë në ligatinat e rëndësisë së madhe dhe do të ndalohet çdo degradim i mëtejshëm i habitateteve. Për më tepër, ligatinat e dëmtuara dhe habitatet bregdetare pritet të restaurohen. Në mënyrë që të trajtohen çështjet socio-ekonomike dhe mirëqenia e njeriut, do të paraqiten dhe promovohen praktikat e turizmit të qendrueshëm dhe përdorimit të tokës. Objektivi është lidhja e veprimtarive ekonomike të zonës me ruajtjen e habitateve dhe ligatinave bregdetare.
Komponenti i njohurive në planin e veprimit do të përqendrohet në krijimin e të dhënave dhe përhapjen e mjeteve për vlerat e ruajtjes së zonës, mallrave dhe shërbimeve të ekosistemit të ofruara aty, si edhe sigurimin e mjeteve të njohurive për ruajtjen inovatore dhe praktikat e përdorimit të tokës. Efektshmëria e menaxhimit do të sigurohet përmes zhvillimit të kapaciteteve të menaxherëve të zonës dhe angazhimit në rritje të aktorëve. Deri më 2022 të gjithë menaxherët e zonës së mbrojtur pritet të kenë aftësitë e plota për të menaxhuar me efikasitet zonat e mbrojtura dhe të zbatojnë veprimtaritë të cilat synojnë zbutjen e kërcënimeve ndaj zonës. Një paketë e masave dhe stimujve ndaj aktorëve të zonës për përdorimin e qendrueshëm të tokës dhe veprimtarive turistike do të krijohet dhe zbatohet. Qeverisja dhe mekanizmat për angazhimin e aktorëve do të hartohen me qëllim mbështetjen e menaxhimit të efektshëm të zonës dhe trajtimit të kërcënimeve ndaj zhvillimit dhe përdorimit të tokës.