Lumi Buna/Bojana, i pozicionuar në Ballkanin Jug-Perëndimor, është një lumë i rëndësishëm në Mesdhe. Delta e Buna/Bojana përmban ligatinat më të rëndësishme në Mesdheun Lindor dhe mbulon një zonë prej 19,000 ha. Duke njohur rëndësinë e tij, më 2005 qeveria e Shqipërisë (Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave) krijoi këtë zonë të pasur biologjikisht si një Peizazh të Mbrojtur Ujor dhe Tokësor, duke e vendosur atë nën menaxhimin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Shkodër. Ky system hidrologjik mjaft kompleks karakterizohet nga burimet e pasura ujore dhe ligatinat dhe ndahet nga ishuj të vegjël.
Delta e Buna/Bojana dallohet nga një gamë e shumëllojshme e habitateve natyrore unikale të cilat strehojnë deri në njëzet e katër lloje të rralla e të rrezikuara dhe mbështesin një pasuri të jetës së egër e të mbrojtur vendase dhe vegjetacionit. Lista më e fundit e Kuqe e IUCN për Florën shqiptare identifikoi rreth 320 lloje të kërcënuara e të rralla. Ligatinat e deltës mikpresin më shumë se 250 lloje të shpendëve, disa mjaft të rrezikuar. Delta gjithashtu shërben si porta hyrëse në rajon e 107 llojeve të ndryshme të peshkut, ndër të cilët është blini i rrezikuar në rang global. Gjitarët e mbrojtur në zonë përfshijnë mishngrënësit e mëdhenj të tillë si Çakalli i Artë, Arinjtë e Murrmë, dhe Delfinët Turishishe. Mbrojtja efikase si e llojeve të bimëve ashtu edhe të kafshëve në këtë rajon përbën detyrim në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ana shqiptare e Lumit Buna/Bojana përmban një peizazh kulturor unikal dhe është streha e rreth 36,000 njerëzve. Veprimtaritë ekonomike kryesore të rajonit janë sektorët e bujqësisë, peshkimit, turizmit dhe tregtisë të cilët punësojnë pjesën më të madhe të popullsisë së rajonit. Plazhet dhe tokat pyjore tërheqin pothuaj 250,000 turistë në vit, kryesisht ndërmjet qershorit dhe gushtit duke paraqitur mundësi unikale për rritjen në sektorët e peshkimit dhe shitjes me pakicë.
Fatkeqësisht, ekonomia e rajonit është e kufizuar dhe banorët përpiqen të mbijetojnë me nivele të ardhurash të ulëta për frymë. Papunësia është e lartë dhe pothuajse 12% e popullsisë merr ndihmë ekonomike ose dërgesat e parave nga pjesëtarët e familjes që kanë jashtë shtetit. Shumica e fshatarëve mbështeten në tokën mjaft pjellore dhe produktive për të përmbushur nevojat e tyre ditore të jetesës. Por, pavarësisht vështirësive të hasura nga banorët shqiptarë të Deltës së Buna/Bojana, ata kanë potencialin dhe shtysën për të përmbushur sfidat e zhvillimit të cilat shtrihen përpara.